Shtyrja e Komisionit të Ligjeve/ Murrizi: Kërkuam kohë për draftet, mazhoranca pranoi propozimin tonë

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Pas shtyrjes së mbledhjes së Komisionit të Ligjeve deputetët e opozitës parlamentare u shprehën se ata kërkuan kohë që të diskutoheshin të gjitha draftet dhe mazhoranca e pranoi propozimin e tyre.

Kreu i grupit demokrat në Kuvend, Myslim Murrizi tha në një prononcim për mediet pas daljes nga Komisioni i Ligjeve se, “e gjithë opozita dhe faktorë të tjerë politikë më në fund po bien dakord në atë që ne kemi kërkuar prej 9 muajsh në parlament për listat e hapura, ndaj për të bërë një gjë të pjekur dhe jo të nxitur, që të mos diskutohet brenda një ore të gjitha ndryshimet kërkuam kohë dhe u pranua nga mazhoranca”.

Murrizi u shpreh se, “është rënë dakord që të zhvillohet një mbledhje tjetër ndoshta sot apo nesër, për të diskutuar dhe draftin dhe amendamentin tonë dhe atë të Andi Përmetit”.

Për draftin e opozitës jashtë parlamentare, Murrizi tha se, “edhe drafti i Bashkimit Sovjetik nëse do ishte për listat e hapura do isha dakord të dëgjohej dhe jo më ai i PD-së”.

Ndërsa deputeti Ralf Gjoni u shpreh se, “vendosim të ikim nga mbledhja, sepse ne ndjejmë se mazhoranca nuk do që të hapë listat. Ne do i qëndrojmë deri në fund kërkesës për hapje të listave. Jam dakord me Murrizin, që çfarëdolloj drafti të jetë do e diskutojmë”.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.