Realizohen 74% e punimeve në kantierin e ujit në Roskovec/ Furnizim 24 orë për 7 187 banorë

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Pas përfundimit të punimeve të rrjetit të ri të ujësjellësit që po vijojnë me ritme të larta, 7187 banorë të qytetit të Roskovecit dhe lagjes Jagodinë do të kenë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna për ndërtimin e ujësjellësit, ku deri tani janë realizuar 74% e punimeve.

“Kantieri i ujit në Roskovec vijon punën me ritme të larta për të përmbyllur në ditët e para të Janarit veprën e ujësjellësit për Roskovecin dhe lagjen Jagodinë për 24 orë ujë. Janë realizuar 74% e punimeve për të modernizuar një sistem që prej 1970 dhe i degraduar tërësisht në këto 5 dekada”, – theksoi Rama.

Modernizimi i infrastrukturës së ujësjellësit do të përmbajë një sërë komponentësh, nga ndërtimi i 2 puseve të reja shpimi, në 2 stacione pompimi, 7.6 km linjë e re dërgimi, rikonstruksioni i stacioneve të pompimit dhe depos 1200 m3, 100% instalim i matësave,  rikonstruksioni i linjave të dërgimit dhe rrjeti i ri shpërndarës për Roskovecin e Jagodinën.

Investimet në sektor do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët dhe do të nxisin rritjen ekonomike./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.