Lezhë, së shpejti nis puna për rehabilitimin e fasadave në dy lagje të qytetit

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Fasadat e pallateve të lagjes “Bregu i Drinit” dhe rrugës “Lalm i Ri” në qytetin e Lezhës do të kenë së shpejti pamje të re.

Lajmi u bë i ditur nga kryetar i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili thekson se “transformimi i qytetit Lezhë sipas premtimeve të bëra fillon me shpalljen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit të rikualifikimit të fasadave të pallateve në këto dy lagje”.

Sipas tij, projektet janë hartuar nga bashkia Lezhë.

Kryebashkiaku Ndreu shprehet se “qyteti i Lezhës së shpejti kantier pune edhe me projekte të tjera që përfshijnë pothuaj të gjithë lagjet dhe problematikat”.

Ky projekt synon krijimin e një kompozimi dinamik me qëllim dhënien e një imazh të ri objekteve, por edhe portës hyrëse të qytetit. Rikualifikimi i fasadave përfshin rehabilitimin e çative me strukturë druri/metalike, veshje me tjegulla, ndërsa do aplikohet sistemi kapot dhe lyerja me bojë me bazë plastike me disa tonalitete.

Bashkia e Lezhës me këtë projekt i rikthen qytetit hapësira të rivitalizuara për një jetë më të mirë për banorët. /k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.