Fondi i Rindërtimit/ Miratohen 51.5 milionë lekë për riforcimin e hidrovorit të Durrësit

TIRANË, 30 shtator /ATSH – I. Vata/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit nga bashkia Durrës, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e hartimit të projektpreventivit dhe riforcimin e hidrovorit të Durrësit.

Në mbështetje të Kushtetutës, dhe të aktit normativ Këshillit Ministrave, vendosini përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 51 550 000 (pesëdhjetë e një milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh pa TVSH, për financimin e hartimit të projektpreventivit dhe riforcimin e Hidrovorit të Durrësit, të dëmtuar nga tërmeti i datës 26.11.2019.

Efekti financiar i këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe i transferohet Bashkisë Durrës, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Fondet e mbetura të papërdorura pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi kthehen në zërin “Fondi për rindërtim” në buxhetin e shtetit.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.