Cakaj mbyll vizitën në Berlin: Vlerësim për punën e bërë në përmbushje të detyrimeve në rrugën europiane

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi takime edhe me anëtarin e Komisionit për Punët e Jashtme, njëkohësisht Raportuesi i CDU/CSU për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt, si dhe Raportuesin për Shqipërinë në Komisionin për Çështjet Europiane në Bundestag, Manuel Sarrazin.

“Me të dy vlerësuam përparimin e madh që ka bërë Shqipëria në plotësimin e detyrimeve kryesore për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, nga reforma zgjedhore deri te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh Cakaj në një reagim lidhur me takimet e zhvilluara.

Gjithashtu, gjatë takimeve u vlerësua pozitivisht puna e bërë në përmbushje të të gjitha detyrimeve në rrugën europiane dhe u sigurua së kjo punë do të vazhdojë me ritëm të shtuar. Shqipëria, siç thekson Cakaj, tashmë gëzon të gjithë kapacitetin teknik, institucional e politik për të avancuar më tej në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Falënderues ndaj Gjermanisë për angazhimin e vazhdueshëm për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë në çdo rrethanë”, përfundoi reagimin Cakaj.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.