“Situata epidemiologjike e qëndrueshme”/ Manastirliu: Opozita po e përdor politikisht pandeminë

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ – Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “situata epidemiologjike paraqet qëndrueshmëri”.

“Numri i infektimeve ditore është në një situatë të qëndrueshme. Situata në spitale vijon të jetë në përballim të plotë, pasi jemi ende në skenarin e dytë të strategjisë tonë për përballimin e epidemisë. Janë rreth 70-80% e kapaciteteve të zëna vetëm në dy spitalet COVID-1 dhe COVID-2.”, tha Manastirliu në një intervistë televizive.

Ajo u shpreh se, “vijon puna intensive në terren sepse lufta me këtë virus është lufta që bëhet në territor për të gjurmuar, për të testuar dhe për izoluar virusin, për të mos lënë përhapjen e tij”.

Sa i përket krahasimit të bilancit me vendet e tjera, Manastirliu u shpreh se, “mendoj se bilancet duhen bërë në fund të luftës, jo në mes. Por nëse duam të bëjmë bilance të flasim me fakte. Shqipëria sot ka numrin më të ulët të infektimeve krahasuar me mesataren e vendeve europiane dhe ato të vendeve të rajonit, duke përfshirë dhe Kosovën”.

“Nëse flasim për numrat. Rastet totale për 1 milion banorë të fataliteteve, Shqipëria është në një pozicion që lë mbrapa vendet e rajonit, duke përjashtuar vetëm Serbinë, dhe gjithashtu dhe vende të tjera europiane”.

Në lidhje me deklaratën e opozitës për shtim të testimeve pasi Shqipëria është e fundit në rajon, Manastirliu u shpreh se, “sa për opozitën e kuptoj që opozita po e përdor politikisht pandeminë ashtu sikundër në fakt përdor dhe e ka përdorur politikisht sëmundjen dhe kjo nuk besoj që e ndihmon situatën. Do e ndihmonte sikur të paktën të kishte bërë një apel që qytetarët të dëgjonin autoritetet shëndetësore. Kritikat konstruktive ne i mirëpresim, por nuk mund të bësh politikë me pandeminë duke i thënë gënjeshtra qytetarëve”.

“Numri i testimeve nuk është një numër që vendoset nga qeveria, do bëjmë 1 mijë, 2 mijë, 8 mijë apo 28 mijë. Jo, është një nevojë që vjen nga vetë përhapja e epidemisë në vend. Është strategji që miratohet nga një ekip ekspertësh dhe vendoset sesi do të kemi strategji në terren sa i përket identifikimit, testimit, gjurmimimit dhe izolimit. Të gjitha këto faza janë pjesë e hetimit epidemiologjik. Testimi nuk është qëllim në veteve”, tha Manastirliu.

“Krahasohemi me veten tonë. Sa ishte numri testimeve në qershor me hapjen, 8883 testime dhe sa është në shtator 24361 testime”, tha Manastirliu.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.