Reforma administrative dhe territoriale/ Lleshaj: Buxhetet për pushtetin vendor pothuajse janë dyfishuar

TIRANË, 29 shtator /ATSH – I. Vata/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka marrë pjesë sot në mbledhjen e Këshillin Konsultativ, mbi ecurinë e Reformës Administrativo-Territoriale dhe Strategjinë e Decentralizimit.

Lleshaj u shpreh gjatë fjalës së tij, se Ministria e Brendshme si ministria përgjegjëse për çështjet e pushtetit vendor ia ka kushtuar, dhe vazhdon t’i kushtojë rëndësi të madhe çështjeve vendore, në kuadër të angazhimit të gjithë qeverisë për ta përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur funksionimin e pushtetit vendor.

“Është fakt që disa nga parametrat kryesorë që karakterizojnë mirëfunksionimin e pushtetit vendor kanë njohur përmirësime të ndjeshme. Është fakt që buxhetet e qeverisë qendrore për pushtetin vendor pothuajse janë dyfishuar, në vijim të reformës administrative territoriale. Tendencë rritje të madhe, dyfishuese kanë njohur edhe investimet në të gjitha fushat e qeverisjes vendore. Performanca në tërësi e njësive të vetëqeverisjes vendore ka njohur rritje të dukshme”, tha ai.

Në vijim, Lleshaj shtoi se qeveria ka ndjekur me vendosmëri qasjen e delegimit të vazhdueshëm të kompetencave nga qendra në drejtim të bazës, nga pushteti qendror drejt pushtetit vendor.

“Reforma administrative dhe territoriale nuk mund të konsiderohet e përfunduar, ajo është në një fazë të rëndësishme të saj. Nuk është pjesë e arkivës, por është pjesë e planeve të angazhimit tonë për të vijuar. Pushteti qendror ka vendosur pajtim me praktikat më të mira europiane, që disa funksione që origjinalisht i takojnë qeverisë qendrore t’i delegojë tek pushteti vendor, me besimin që pushteti vendor mund t’i bëjë më mirë ato, pasi bëhet fjalë për funksione të cilat janë afër qytetarëve. Delegimi nuk është thjesht transferimi i disa atributeve dhe i disa fuqive nga qeveria qëndrore tek ajo vendore, siç nganjëherë edhe keqkuptohet në këtë mënyrë. Por është transferimi i disa përgjegjësive të mëdha që qeveria qendrore i delegon tek pushteti vendor me besimin dhe pritshmërinë që pushteti vendor duhet t’i realizojë me përgjegjësi të lartë këto funksione ose përgjegjësi të deleguara”, tha ai.

Po ashtu, Lleshaj shtoi se janë disa funksione që kanë kaluar në këtë proces transferimi por, nevoja për përmirësim të nivelit të ushtrimit të këtyre përgjegjësive është e lartë. Për shembull, zjarrëfikësit si një prej tyre.

“Trupa zjarrëfikëse duhet trajtuar ndryshe, dhe përgjegjësi këtu ka edhe struktura qendrore. Ministria e Brendshme për të vendosur standarde dhe për t’i kontrolluar me ekzigjencë ato. Ndërkohë që pushteti vendor ka detyrim primar për t’u fokusuar në këtë sektor i cili thjesht përkthehet në jetë të qytetarëve. Duhet që të gjejmë instrumente për t’i motivuar më mirë punonjësit zjarrfikës, për t’i paguar më mirë, për t’i siguruar më mirë, për t’i trajnuar, pajisur më mirë, për t’i veshur dhe mbathur më mirë, dhe për t’i nderuar më fortë. Një ndër funksionet e tjera të deleguara është, mjedisi, mbrojtja e territorit, e pyjeve sidomos, e lumenjve janë çështje jetike të mëdha që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës së qytetarëve. Ende vazhdojnë të derdhen mbetje urbane në lumenjtë e vendit, inerte, edhe nga kompanitë e pastrimit të qyteteve. Po kështu sa i përket derdhjes së ujrave të zeza në shtretërit e lumenjve të vendit. Ndaj është me rëndësi të adresojmë politika, programe, projekte, angazhim për t’i trajtuar këto çështje me seriozitet të madh”, tha ai.

Gjithashtu Lleshaj në vijim të fjalës së tij theksoi vendosjen e standardeve për mirëfunksionimin e pushtetit vendor.

“Çështje tjetër është ajo që ka të bëjë me vendosjen e disa parametrave, standardeve, që duhet të rregullojnë mirëfunksionimin e pushtetit vendor. Pushteti vendor funksionon në kuadër të një sistemi, që do të thotë të zhvillojë e adaptojë standarde të cilat zbatohen nga të gjithë njëlloj. Nuk mund të kemi “rendje në drejtim të paditur” të organikave të disa bashkive. Ne na duhet t’i zhvillojmë këto standarde së bashku në interesin më të lartë të qytetarëve, të publikut. Rritja e buxhetit duhet të ndjekë disa parime, të cilat ndoshta ka ardhur koha për t’i riparë. Sot ne i financojmë bashkitë bazuar në dy kritere, sipërfaqja dhe numri i popullsisë. Ndoshta ka ardhur koha të shohim jo vetëm sipërfaqen dhe popullsinë, por edhe kontributin e një bashkie në prodhimin e përgjithshëm kombëtar (GDP). Nëse një bashki e vogël, në sipërfaqe dhe njerëz, është dinamike, inovative, punëtore, kreative, dhe prodhon e kontribuon në prodhimin e përgjithshëm kombëtar më shumë se një bashki e madhe me territor e popullsi, por s’bën asgjë, atëherë duhet konsideruar një formulë tjetër, ku të merret për bazë edhe kontributi në GDP”, tha ai.

Në fund Lleshaj tha se ne duhet që t’i nxisim ata që performojnë më mirë dhe jo duke u bazuar vetëm në kritere statike siç janë popullsia dhe sipërfaqja.

“Është me shumë rëndësi të shohim edhe borxhin, të krijuar dhe të akumuluar nga bashkitë. Bashkitë duhet të vendosin një limit, vetë, për borxhin, duke thënë se s’mund të kalojë sipër një norme të caktuar. S’mund të shtojmë njerëz pafundësisht në organikë, pa u kujdesur për borxhin. Nuk mund të bëhen investime kur nuk ka parà, por duhet të shtojmë të ardhurat për të rritur investimet, jo të shtojmë borxhin. Kemi bashki shumë të vogla, pikësore, që kryesojnë në listën e rankimit të borxhit të bashkive. Kemi bashki të vogla që vijnë direkt mbas Tiranës, në vlerë absolute, jo në përqindje”, theksoi ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.