Miratohen ndryshimet në ligjin “Për azilin”/ Parashikohen qartësisht afatet për shqyrtimin e kërkesës

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim në parim, projektligjin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

Për prezantimin e projektit, të ftuar në komision ishin Juljan Hodaj zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme, Silvana Banushi, drejtore në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe drejtori i Azilit dhe i Shtetësisë, Sokol Sheti.

I pranishëm në komision ishte dhe ambasadori i UNHCR në Shqipëri, Pablo Zapata.

Hodaj në fjalën e tij shpjeguese rreth ndryshimeve të propozuara në ligjin aktual, sqaroi dhe arsyet që çuan në hartimin e një ligji të ri “Për azilin”.

“Në krahasim me ligjin ekzistues janë parashikuar qartësisht afatet për shqyrtimin e kërkesës nga struktura përgjegjëse në ministrinë përkatëse për çështjet e azilit dhe refugjatët që, si rregull, zgjasin 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës, rastet e zgjatjes së afatit të cilat bëhen për një periudhë shtesë prej 3 muajsh, si dhe është përcaktuar afati maksimal kohor për përfundimin e shqyrtimit të kërkesës që është 21 muaj nga paraqitja e tij”, u shpreh Hodaj.

Nga ana tjetër, në cilësinë e relatoreve të komisionit, Elona Gjebrea dhe Elena Xhina, theksuan përputhshmërinë e ligjit të ri “Për azilin” me ligjin që sapo është miratuar “Për shtetësinë” dhe e vlerësuan projektin si një kornizë ligjore të mirëdetajuar.

Më tej komisioni vijoi me pyetje, diskutime dhe komente nga anëtarët dhe më pas miratoi në parim projektin në fjalë.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.