“Konflikti tek adresat, jo tek vendbanimet”/ Doracaj: Nuk ndryshojnë as qendrat e votimit, as lista e zgjedhësve

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, deklaroi sot në një intervistë televizive se, “problemi i sistemit të adresave në Shqipëri është një proces që ka 30 vjet që ekziston”.

I pyetur se çfarë po ndodh me sistemin e adresave disa muaj përpara zgjedhjeve, pse ka ankesa të qytetarëve për ndryshim pa dijeni të tyre dhe se si po punohet për korrigjimin e këtij problemi, Doracaj tha se, “askush deri para pak kohësh nuk dinte të sqaronte se ku e ka shtëpinë, por mundohej që t’ua jepte personave të interesuar duke referuar mjete rrethanore”.

“Pas 30 vitesh qeveria shqiptare në vitin 2016 ndërmori dhe akordoi një fond, i cili bënte të mundur krijimin e një sistemi të ri adresash, dhe funksional mbi të gjitha”, tha Doracaj.

Ai shtoi se, ky proces kishte të bënte me intervistim në terren të qytetarëve derë më derë në të gjithë vendin.

“Në vitin 2019 filloi implementimi i këtij sistemi duke bashkuar të dy regjistrat, regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe atë të adresave”, tha Doracaj.

Gjatë bashkimit të dy regjistrave është një numër i konsideruar qytetarësh që nuk janë gjendur në adresën ku ata kanë deklaruar apo kanë vendbanimin, por janë gjetur në një adresë tjetër ku ata jetonin përkohësisht apo përherë. Nisur nga këto kushte, gjatë bashkimit të regjistrave nga trokitja derë më derë, u konstatua se ka qytetarë që nuk e kanë vendbanimin aty ku e kanë deklaruar. Dhe kur bashkohen të dy regjistrat këtyre qytetarëve u del kodi i Zyrës së Gjendjes Civile apo vendbanimi. U del si për shembull nga vendbanimi tek njësia 5 në Tiranë, adresa u del në Kavajë, Vlorë. Të gjithë qytetarët e pranuan që kanë shtëpi të dyta. Kur qytetari është intervistuar aty ku është gjetur ka thënë është shtëpia ime, unë këtu jetoj”, u shpreh Doracaj.

“Qëllimi i të gjithë projektit është detyrimi i shtetit ta dijë se ku i ka qytetarët e vet. Edhe shtetasi ka detyrim t’i tregojë shtetit ku jeton. Ne nuk iu kemi ndryshuar vendbanimin. Vendbanimin e kanë aty ku e kanë pasur. Sepse vendbanimi ndryshon duke u paraqitur personi vetë. Personi paraqitet me dokumente përkatës tek Zyra e Gjendjes Civile ku do të shkojë”, tha Doracaj.

“Ky është një konflikt që është krijuar tek adresat që do të thotë rrjedhimisht, as në qendrat e votimit, as në listën e zgjedhësve. Qytetarët aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën, do të votojnë edhe në 2021-in, në qoftë se nuk e kanë ndryshuar vendbanimin konform dokumentacionit të parashikuar nga ligji”, tha Doracaj.

“Të gjithë ata që kanë probleme me adresat, nuk kanë probleme me zgjedhjet, ata do jenë aty ku kanë qenë,” – këmbënguli Doracaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile kërkoi që qytetarët të mos nxitohen përpara akuzave që mund të ngrenë, por të verifikojnë në e-Albania.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.