Garancia sovrane I dhe II, 751 kredi për bizneset me vlerë totale 12.8 miliardë lekë deri më 1 shtator

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Deri më 1 shtator nga të dy garancitë sovrane janë miratuar 751 kredi për bizneset me vlerë totale 12.8 miliardë lekë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, teka theksoi se dy garancitë kanë funksionuar më së miri në mbështetje të sipërmarrjeve e të mbrojtjes së vendeve të punës nga kërcënimi i COVID-19.

“Mirëmëngjes dhe me këto të dhëna mbi 2 Garancitë Sovrane që ndryshe nga çfarë u trumpetua prej atyre që dinë vetëm të nxijnë e të helmojnë miletin, kanë funksionuar më së miri në mbështetje të sipërmarrjeve e të mbrojtjes së vendeve të punës nga kërcënimi i COVID-19, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “në garancinë e parë sovrane deri më 1 shtator janë miratuar 554 kredi për bizneset për një vlerë në total 6.5 mld lekë. Në garancinë e dytë sovrane deri më 1 shtator janë miratuar 197 kredi nga bizneset për një vlerë në total 6.3 miliardë lekë. Vlera totale e miratuar është 12.8 mld lekë”.

Për nevojat e sipërmarrjes në procesin e rimëkëmbjes pas goditjes prej pandemisë së COVID-19, Qeveria shqiptare së bashku me bankat e nivelit të dytë, po zbatojnë 2 instrumente të garancisë sovrane.

/k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.