Agjencia Telegrafike Shqiptare

Fondet e Solidaritetit administrohen nga Bashkimi Europian

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Fondet e mbledhura në konferencën e Donatorëve në Bruksel administrohen nga vetë donatorët.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në nënshkrimin e memorandumit për fillimin e programit të financimit të Bashkimit Europian si donatori kryesor i Konferencës së Solidaritetit në Bruksel, për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Bashkimi Europian përmes instrumenteve të vetë dhe në këtë rast në bashkëpunim me një strukturë të posaçme të Kombeve të Bashkuara do të administrojë nga pikëpamja tekniko-financiare të gjithë programin qoftë për trashëgiminë kulturore, qoftë për shkollat me shkollat me një instrument tjetër dhe paratë e taksapaguesve europianë janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë administrimi e vetë Bashkimit Europian”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ka një keqkuptim të madh tek një pjesë e atyre që sytë i kanë, por nuk duan të shohin, veshët i kanë po nuk duan të dëgjojnë, mendjen e kanë po nuk duan ta venë në punë”.

“Kush thotë dhe përsërit e si në jerm ‘ku shkuan paratë, ku i çuat paratë, pse i vodhët paratë që ju dha bota?’, duhet të hapë veshët dhe ta vërë mendjen në lëvizje për të dëgjuar këtë fakt shumë të thjeshtë: Të gjitha fondet e solidaritetit europian janë fonde që administrohen nga pikëpamja financiare nga vetë BE-ja, nuk janë një thes që na i dhanë ne pas konferencës dhe ne e morëm e tretëm, siç u thotë fantazia atyre që do kishin bërë këtë gjë nëse do të kishin mundësi ta bënin, ose që mund ta kenë bërë me paratë e shqiptarëve në të shkuarën edhe kujtojnë se jemi të gjithë njësoj”, – nënvizoi Rama.

/k.s//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version