BRUKSEL – Breton: Mbikëqyrja e GAFA-s përgjegjësi e vendeve anëtare 

BRUKSEL, 29 shtator /ATSH-DPA/ – Eurokomisioneri për Tregun e Brendshëm dhe Dixhital, Thierry Breton tha sot se mbikëqyrja e kompanive të mëdha dixhitale do të jetë përgjegjësi e secilit shtet anëtar, duke përjashtuar krijimin e një agjencie europiane për këtë qëllim.

Ndërsa Komisioni Europian pritet të zbulojë legjislacionin e ri, “Akti i Shërbimeve Dixhitale”, për të mbikëqyrur GAFA-n (Google, Amazon, Facebook dhe Apple) deri në fund të vitit, Breton dha një paraqitje mbi arkitekturën e mbikëqyrjes së ardhshme.

“Ne nuk kemi ndërmend të krijojmë një agjenci të re, një mbikëqyrës të ri ex nihilo (nga hiçi)”, tha Breton në një konferencë për shtyp.

“Ne do t’i kërkojmë secilit shtet të ketë një njësi ekonomike ose një operator përgjegjës për t’u siguruar që e gjithë kjo të funksionojë mirë”, shtoi ai.

Eurokomisioneri sqaroi se ky mision do të delegohet tek agjencitë që ekzistojnë tashmë, CSA (Këshilli Superior Audiovizual), koordinimi i të cilave do të sigurohet në nivelin e BE-së, nga një organ i drejtuar nga KE./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.