Vetingu në Polici/ Shkarkohet nga detyra Edmond Papa, shef sektori në SHBÇA

TIRANË, 28 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Edmond Papa, shef sektori i Sigurisë së Personelit, Drejtoria e Analizës dhe Kartotekës, SHÇBA është shkarkuar nga detyra, pasi nuk ka arritur të kalojë vetingun, për shkak të problemeve me pasurinë.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i mbledhur të hënën në mëngjes ka vendosur për shkarkimin nga detyra të Edmond Papës, i cili deri më sot mbante detyrën e shef sektori i Sigurisë së Personelit, Drejtoria e Analizës dhe Kartotekës, SHÇBA.

Papa ishte në listën e 45 drejtuesve të policisë që do t’u skanohej pasuria, listë e hartuar vitin e shkuar, ndërsa Papa mbante postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale Shkodër (Kukës Dibër).

Trupa e Vlerësimit e përbërë nga treshja, Elida Liko, Ana Kapaj, Elvira Daberdakum, pasi vlerësuan figurën e Edmond Papa, vendosën shkarkimin e Papës për shkak të problemeve me pasurinë. Ky është polici i dytë i cili shkarkohet nga Vetingu. Më herët KJV ka shkarkuar nga detyra Oltion Shehun, shefi i sektorit të ankesave në SHÇBA. Deri tani, 21 drejtues të lartë janë konfirmuar në detyrë.

Policia e Shtetit i është nënshtruar tashmë vetingut, i cili synon krijimin e një trupe policore me integritet dhe të ndarë nga paligjshmëria. Vetingu në Policinë e Shtetit bazohet në tri shtylla kryesore, ashtu si edhe në sistemin e drejtësisë: në pastërtinë e figurës, profesionalizmin dhe ligjshmërinë e pasurinë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.