Pavarësia e prokurorëve objektiv parësor/ Kryeprokurori Çela takim me kreun e ILD, Metanin

TIRANË, 28 shtator/ATSH- A. Fortuzi/ Pavarësia e prokurorëve është objektivi parësor i drejtësisë së re.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një takim pune me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela.

Në krye të këtij takimi të parë institucional, Metani vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, në drejtim të përcjelljes pranë zyrës së ILD, sipas parashikimeve ligjore, të ankesave, arkivës apo të dhënave që zotëronte institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm e të depozituara gjatë periudhës kalimtare, deri në ngritjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Inspektori i Lartë Metani nënvizoi se si Institucion i ri me standard të ri kushtetues, ILD synon ndryshimin rrënjësor të konceptit të inspektimit duke unifikuar standardet më të mira të hetimit, jo vetëm në respekt të ligjit, por edhe të pritshmërive të qytetarëve në kuadër të reformës në drejtësi.

Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm Çela vlerësoi se me ndryshimet që ka pësuar organi i prokurorisë nga reforma në drejtësi, objektiv parësor mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve, përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi dhe përmirësimin e koordinimit me ILD.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm bashkëndanë vullnetin për ta vijuar në mënyrë të qëndrueshme bashkëpunimin mes dy institucioneve. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.