Meta: Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe marrëveshjen e 5 qershorit

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Presidenti i Republikës përshëndeti sot zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.

“Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimmarrës konsensual”, tha Meta.

“Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja”, u shpreh Meta.

“Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit”, shton Meta.

“Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve”, nënvizon Kreu i Shtetit.

“Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim”, thotë Meta.

“Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit. Koha për reflektim!”, thekson Meta.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.