Furnizimi me energji/ Remont në agregatin II në HEC-in e Komanit

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon masat për garantimin e furnizimit me energji në prag të dimrit. Bëhet fjalë për investime dhe ndërhyrje të planifikuara, që bëhen në HEC-et e kaskadës së Drinit, si masa sigurie për stinën e dimrit.

Në Hidrocentralin e Komanit po vijon remonti në agregatin nr. II. ” Stafi i mirëmbajtjes në hidrocentralin e Komanit përfundoi me sukses, Montimin e gominës së farfallës së droselit për të eliminuar rrjedhjet e ujit në agregatin nr. II”, bën të ditur ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Komani është hidrocentrali i dytë dhe më i fuqishëm i kaskadës së lumit Drin. Për nga fuqia e instaluar, pozicioni dhe vëllimi i rezervuarit, ky HEC luan rol kyç për prodhimin dhe shfrytëzimin e të gjithë kaskadës. Komani është hidrocentrali me kapacitetin më të madh të prodhimit të energjisë në vendin tonë.

Hidrocentrali i Komanit është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga është e tipit me mbushje me gurë dhe ekran betonarme. Diga është 133 m e lartë dhe 290 m e gjatë. Diga e Komanit, është ndër 10 digat më të larta të këtij lloji në Europë.

Diga ka një volum total prej 5 milionë m3. Diga ka krijuar një rezervuar jo shumë të madh, prej 500 milionë m3 ujë, ndërsa vëllimi i dobishëm i tij është 90 milionë m3 ujë (kuota 169-176).

Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1980. Në 1985-ën filloi punën turbina e parë. Me kapacitet të plotë centrali u vu në punë në vitin 1988./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.