Drafti i PD-së/ Kaso: E papërshtatshme për të bërë ndryshime drastike në Kodin Zgjedhor

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, theksoi sot se “është krejtësisht e papërshtatshme për të bërë ndryshime drastike në Kodin Zgjedhor, pasi jemi pak muaj para zgjedhjeve”.

Në një intervistë  televizive Kaso tha se “ishte tërësisht e mundur të ndërhyhej në kod, pa prekur koalicionet. Nuk është normale, ndaj kemi kërkuar mendimin e ODIHR për të na dhënë një zgjidhje. Është një kërkesë që është refuzuar”.

“Vazhdojmë i qëndrojmë asaj që kemi thënë. Hapi ynë i fundit është materializimi i asaj që kemi thënë, pasi në dy mbledhjet e dështuara të Këshillit Politik preteksti ka qenë se nuk ka qenë e formalizuar kërkesa jonë”, – tha Kaso.

Kaso u shpreh se “drafti ynë është shumë i thjeshtë, shumë afër botëkuptimit të njeriut të zakonshëm se si duhet të jenë listat e hapura. Kemi dashur t’i tregojmë mazhorancës që ndërhyrja është e mundshme dhe nuk ka nevojë të prekë pikat e tjera”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.