Kapiteni Muça largohet nga “Tirana”

 TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Gent Muça i ka dhënë lamtumirën “Tiranës”. Muça, i cili udhëhoqi bardheblutë drejt titullit kampion sezonin e shkuar ka vendosur të largohet nga skuadra në të cilën ishte dhe kapiten. Ai provoi shijen e Kategorisë së Parë, por fitoi dhe trofe me bardheblutë, kampionatin dhe kupën.

“Gent Muça largohet nga Tirana. Pas një takimi që përfundoi në shtrëngim duarsh mes presidencës dhe lojtarit Gent Muça, ky i fundit ka kërkuar largimin e tij nga skuadra. Me kërkesë të futbollistit për të vazhduar karrierën si futbollist në fushën e blertë mbrojtësi shtatlartë ka hapur rrugën për brezat e rinj duke premtuar rikthimin e tij në bashkëpunime të mëtejshme me familjen e tij bardheblu! Ne i urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij, njeriut që Tiranës i dhuroi gjithë jetën e tij”,- thekson klubi bardheblu.

Po ashtu dhe Muça ka një mesazh për tifozët dhe klubin.

“Sot konfirmoj largimin tim nga Klubi i Futbollit Tirana. Pas viteve të tëra duke mbajtur veshur fanellën bardheblu lë pas një histori kampionësh dhe një vit të suksesshëm. Qëllimi kryesor i këtij largimi është për ti ofruar brezave të rinj mundësinë të prekin të njëjtën ëndërr që preka dhe unë. Shtëpia e trofeve është dhe do të mbetet gjithmonë edhe shtëpia ime! E di që derën në këtë klub do ta kem të hapur kurdo. U rrita profesionalisht me dashurinë për ngjyrat bardheblu dhe i jam përgjithmonë mirënjohës këtij klubi. Falenderoj Presidentin për të gjithë mbështetjen e tij, stafin dhe të gjithë skuadrën që më kanë shoqëruar përgjatë rrugëtimit tim. I uroj ekipit suksese në Europa League dhe në cdo ndeshje mëtej. FALEMINDERIT!”, – shkruan klubi i Tiranës.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.