Reforma në Shërbimin Veterinar Shtetëror/ Jo më fragmentarizim, punësohen 400 veterinerë të rinj

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Besmir Binaj nga Tirana është një prej shumë të rinjve që i është bashkuar Shërbimit Veterinar Shtetëror, i cili ka hyrë në një fazë reformimi pas miratimit të ndryshimeve ligjore.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “si Besmiri do të jenë edhe rreth 400 veterinerë të tjerë në të gjithë vendin që do të punësohen në këtë shërbim kaq shumë i rëndësishëm për sigurinë ushqimore, i cili nuk do të jetë më i fragmentarizuar, por i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin”.

Rama theksoi se “me reformimin e shërbimit veterinar hedhim bazat për hapjen e eksporteve të produkteve shqiptare me origjinë shtazore në tregjet e huaja”.

Sipas tij, “”fermerët gjithashtu përfitojnë vaksinim dhe matrikullim falas për kafshët blegtorale konsideronin si inspektor kontrolli”.

Ndërkohë, Besmiri shprehet se ky rrugëtim nisi nga dashuria për kafshët dhe se ashtu si shumë bashkëmoshatarë të tij mendonte të kishte një klinikë private.

“Por mund të them me kënaqësi se kam gjetur veten mjaft mirë në Shërbimin Veterinar dhe jam pjesë e zinxhirit në kontrollin e shëndetit të kafshëve, e për rrjedhojë, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e konsumatorit, në mbrojtjen e produkteve me origjinë shtazore”, tha ai.

Sipas Besmirit, “profesioni i veterinerit është një profesion aq sa i bukur, por që ka dhe shqetësimet e veta”. “Një prej problemeve ka qenë copëzimi i shërbimit veterinar, i cili së fundmi me ndryshimet ligjore dhe reformimin që po i bëhet, besoj se kjo problematikë do të shkoj drejt fundit. Zgjerimi i kapaciteteve dhe i burimeve njerëzore me mbi 400 veterinerë të rinj do të krijojë mundësi të reja për shumë kolegë të mi që deri dje mendonin se pak kush e kishte fatin tim, apo se ushtrimi i këtij profesioni do të ishte i pamundur”, tha Besmiri.

Ai theksoi se “jo më larg se gjatë këtij viti ky lehtësim dhe ky përmirësim u ndje dukshëm në administrimin e profilaksisë veterinare. “Kjo fushatë vaksinimi jo vetëm që na çoi pranë fermerëve duke ofruar falas këtë vaksinë, por na dha dhe kënaqësi profesionale në sajë të mirënjohjes së tyre, pasi deri dje na konsideronin si inspektorë kontrolli”, tha Besmiri. /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.