POLONI – Fraksionet e shumicës qeverisëse nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit

VARSHAVË, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Debati i ashpër brenda shumicës qeverisëse të Polonisë përfundoi zyrtarisht sot, pasi udhëheqësit e partisë qeverisëse Ligji dhe Drejtësia (PiS) dhe fraksionet e saj arritën të nënshkruajnë një marrëveshje për mënyrën e ardhshme të bashkëpunimit.

Marrëveshja u nënshkrua nga udhëheqësi i PiS, Jaroslaw Kaczynski, Jaroslaw Gowin dhe ministri i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, udhëheqës të partive fraksion të PiS-së, deputetët e të cilave hynë në parlamentin polak falë përfshirjes së tyre në listat zgjedhore të PiS.

“Kemi arritur një marrëveshje në lidhje me programin e qeverisë për tre vitet e ardhshme, si edhe mbi modernizimin e saj”, tha Gowin në deklaratën e tij.

Ishin pikërisht mosmarrëveshjet e partisë së Kaczynski-t me fraksionin e Ziobro-s, kohët e fundit, që e solli shumicën qeverisëse polake, PiS, në krizën e saj më të rëndë të brendshme që nga rimarrja e pushtetit në fund të vitit 2015./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.