“Në ‘rënie të lirë’ nuk është bujqësia, por vetë Meta”/ Çuçi: 3754 fermerë përfituan financim vetëm në 2020-ën me buxhet plot 727 milionë lekë

TIRANË, 26 shtator /ATSH/- Skema Kombëtare në mbështetje të bujqësisë me fondet e buxhetit të shtetit, ka shënuar numrin më të madh të përfituesve në tri vitet e fundit, duke arritur në 3754 fermerë në vitin 2020 me një buxhet plot 727 milionë lekë.
Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi në reagimin e tij pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta që ngriti shqetësimin mbi braktisjen e bujqësisë dhe blegtorisë duke shpopulluar zonat rurale.
“Kreu i shtetit që ka zgjedhur të bëjë fushatë me postin e Presidentit në shkelje të hapur të Kushtetutës edhe sot kur foli për blegtorinë thotë të pavërteta”- theksoi ministri.
Sipas tij, “kur ai ishte zëvendës i qeverisë së Saliut në vitin 2012, nga buxheti i shtetit mbështetja për blegtorinë ishte vetëm 202 milionë lekë dhe numri i përfituesve 2178 fermerë. Kur partia e tij la drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2017 numri i përfituesve zbriti frikshëm në vetëm 844 fermerë”.
“Numri më i madh i përfituesve ka qenë në tri vitet e fundit, duke arritur në 3754 fermerë në vitin 2020 me një buxhet plot 727 milionë lekë. Në këtë vit masa e përfitimit është  më e madhja për krerë, krahasuar me vitet e mëparshme”- tha Çuçi.
Po kështu, u shpreh ministri i Bujqësisë, edhe numri i përfituesve dhe fondi i përdorur është më i madhi në gjithë periudhën (2012-2020)”.
“Nga Skemat Kombëtare për periudhën 2017-2020 kanë përfituar drejtpërdrejt 13800 fermerë dhe agrobiznese nga masat mbështetëse direkte dhe projekte investimesh me një fond të përdorur prej rreth 3.5 miliardë lekësh. Kurrë më parë s’ka pasur një mbështetje të tillë për bujqësinë në tërësi dhe sektorin e blegtorisë”- deklaroi ministri.
Çuçi theksoi se “Kemi nisur ndërkohë reformimin e Shërbimit Veterinar, i cili mori një goditje fatale në vitet kur partia e Presidentit drejtonte Ministrinë e Bujqësisë. Fermerët do të përfitojnë vaksinim dhe matrikullim falas për kafshët blegtorale dhe do të mbulohet me shërbim i gjithë territori i vendit”.
“Faktet që kreu i shtetit refuzon t’i shikojë, dëshmojnë se në “rënie të lirë” nuk është bujqësia, por vetë Presidenti që ka braktisur rolin kushtetues për të bërë udhëheqësin e dëshpëruar të opozitës pa shpresë”- deklaroi ministri Çuçi. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.