Fluks i lartë kërkesash në qendrat e formimit profesional/ Dëshmia e Eqeremit, prej vitesh përgatit profesionistët e rinj

 

https://www.facebook.com/aniladenaj.al/videos/374482243939243/

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Politikat e qeverisë në drejtim të formimit profesional synojnë kualifikimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e mundësive për të hyrë më shpejt në tregun e punës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj publikoi sot historinë e Eqeremit, shef i kuzhinës në Qendrën Profesionale Nr. 1 në Tiranë, i cili prej vitesh përgatit profesionistët e rinj.

Ai ka një eksperiencë pune si shef kuzhine prej 35 vitesh.

Eqeremi tregon se kërkesat nga të rinjtë janë të shumta për faktin se ata arrijnë të punësohen direkt pas përfundimit të kursit.

“Ka një fluks kërkesash për kuzhinier. Pikërisht prej fluksit të lartë u hap edhe qendra e re e formimit profesional. Në dy vite nga kjo qendër kanë dalë 7-8 breza kursantësh. Pjesa më e madhe e tyre janë punësuar në restorante fast-food e hotele ku ofrohet shërbimi i kuzhinës”, shprehet Eqeremi.

Sipas tij, kursi i ri nis në muajin tetor dhe deri në fund të muajit mars janë të rezervuara të gjitha vendet për të ndjekur këtë kurs.

Numri i nxënësve në shkollat e arsimit profesional është rritur në mënyrë të ndjeshme, me rreth 3.4%, falë vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arsimit profesional në vitet e fundit, duke synuar një përshtatshmëri më të madhe me nevojat e tregut të punës dhe biznesit.

Numri i nxënësve në 35 shkollat e arsimit profesional në vend është rreth 20 mijë.

Arsimi dhe formimi i një cilësie të lartë përbëjnë një nga elementët kryesorë edhe për përcaktimin e punësueshmërisë së forcës së punës.

Në periudhën janar- dhjetor 2019 kanë ndjekur kurset e formimit profesional 8,818 punëkërkues të papunë ose rreth 12% të totalit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në Zyrat e Punës./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.