Duka: Kemi kërkuar që ligji i sponsorizimeve të aktivizojë biznesin

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Liga Profesioniste e Futbollit ka dalë paraditen e sotme në një konferencë për shtyp, ku përfaqësues të 10 klubeve elitare shqiptare në praninë e kreut të FSHF-së Armand Duka kanë parashtruar me detaje pikat drejtuar qeverisë lidhur me bojkotin e kampionatit dhe situatën aktuale.

Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit kërkoi qeverisë plotësimin e 4 kërkesave, mbi ndryshimet në ligjin për sponsorizimet duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim fitimi.

‘’Ne jemi këtu për të zgjidhur një gjë për sportin. Unë personalit e kam shprehur, unë jam personalisht i gatshëm që të takohem me çdo person, vetëm që ligji të bëhet”,tha Duka.

‘’Kemi kërkuar që ligji i sponsorizimeve të aktivizojë biznesin shqiptar, atraksioni që sporti i jep biznesit të ketë mundësi të përmirësojë infrastrukturën dhe të masiviziojë sportin duke sjellë të ardhura të mëvonshme. Vëmendja për sportin u bë më e madhe pas europianit. Kemi bërë disa projektligje të përafërta me këto që ka kërkuar sot Liga, propozime disa vite më parë. Kemi marrë propozime edhe nga Hungaria që ka një ligj të mirë dhe ia kemi nisur kryeministrit. Përderisa Shqipëria nuk ka ministri sporti kemi qenë ne që kemi bërë propozimet, pasi këto bëhen nga ministria e linjës. Ligji i sportit duhet përmirësuar, pikërisht ky ligji i sponsorizimit”, tha mes të tjerash ai.

”Ndërprerja e sportit nuk është e mirë as 1 orë. Fakti që na ka sjellë sot në këtë sallë dhe ka bërë shumë njerëz të diskutojnë, tregon se nuk është dhe aq i keq bojkoti”, shtoi Duka.

Liga Profesioniste e Futbollit më 10 gusht të këtij viti i ka parashtruar 4 kërkesa kryeministrit Rama për t’i plotësuar nga ana e qeverisë. z.tosku/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.