Biznesi i vogël për zerimin e tatimfitimit dhe TVSH-së: Lajm i mirë, na ndihmon për t’u rimëkëmbur

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Zotimi i qeverisë për të mbështetur çdo njeri që krijon vende pune për veten, familjen dhe të tjerët nga 1 janari i vitit që vjen do të jetë një realitet i prekshëm për mbi 12 mijë biznese të vogla që operojnë në treg.

Bizneset e vogla të cilat kryejnë xhiro deri në 14 milionë lekë duke nisur nga 1 janari I vitit 2021 për një periudhë 9 vjeçare nuk paguajnë asnjë tatimfitimi, ndërsa bizneset e vogla deri në 10 milionë lekë të reja nuk do të kenë detyrimin për të paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

“Vendimi i qeverisë për heqjen e tatimfitimit dhe rritjen e pragut të TVSH-së është një lajm i mirë. Pandemia e COVID-19 patjetër që ka ndikuar në aktivitetin tonë. Çdo vendim i qeverisë për uljen e taksave do të na ndihmonte për tu rimëkëmbur. Edhe ndihma financiare gjatë muajve të mbylljes ishte një ndihmë e madhe për ne”, shprehen ata për ATSH-në.

Barra fiskale për biznesin e vogël në vitet e fundit ka ardhur në rënie. Nga 2014-2019, biznesi i vogël ka paguar vetëm 5.3 miliardë lekë si tatimfitimi, ndërsa nga viti 2006-2013, ka paguar 19 miliardë lekë tatim mbi fitimin.

Këtë mbështetje dhe kornizë në Shqipëri biznesi i vogël, e ka si i vetmi pa taksa dhe pa TVSH deri në 10, pa taksa dhe me TVSH deri në 14 milionë lekë.

Janë rreth 60 mijë tatimpagues nga biznesi i vogël që paguanin 10% tatimin mbi fitim, por edhe një tjetër taksë për pushtetin vendor.  Shteti i ka marrë biznesit të vogël nga 2006-2013, 19 miliardë lekë tatim mbi fitimin. Ndërsa nga 2014-2019, biznesi i vogël ka paguar vetëm 5.3 miliardë lekë ./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.