Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL iu dërgon formularin 5 të dënuarve për vepra penale në Tiranë e Berat

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 5 shtetasve të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas policisë, kërkesa i është nisur, T. S., banues në Tiranë, i dënuar në Zvicër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; M. S., banues në Urën Vajgurore, Berat, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; K. H., banues në Berat, i dënuar për veprën penale ’’Vjedhja me dhunë”; N. D., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”; G. T., banues në Berat, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit thekson se, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, përfundon Policia e Shtetit.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.