Rindërtimi në Tiranë me ritme të shpejta/ 850 shtëpi individuale do të ndërtohen nga e para më të bukura dhe më të forta

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Dajt, Tiranë, ku po ndërtohen banesat e reja për familjet e mbetura pa strehë nga tragjedia e 26 nëntorit.

Bashkë me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama inspektoi punimet për rindërtimin e banesës së familjes Lame në Lanabregas.

Rama theksoi se “rindërtimi i shtëpive në Tiranë po ecën me ritme të shpejta edhe në Baldushk, Kashar, Pezë e Zall-Herr”.

Kryeministri theksoi se “850 shtëpi individuale do të ndërtohen nga e para vetëm në Tiranë, më të bukura, më të forta se ato të mëparshmet”.

“Beso dhe kontrollo është kjo punë. E mira e madhe është që shpëtuat njëherë e mirë dhe do hyni në një shtëpi për së mbari. Vitin e Ri do ta kaloni në një shtëpi për së mbari. Ne kemi bërë detyrën, por duhet shumë durim duhet se nuk bëhen punët menjëherë”, tha Rama.

Ndërkohë Veliaj theksoi se “shumë shpejt pritet të nisë puna dhe për hapjen e themeleve për pallatet e reja ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti si dhe për shkollat që do rindërtohen”.

Ai tha se janë kualifikuar 8 kompani dhe se tashmë do u çohet edhe oferta financiare.

Veliaj dha dhe lajmin e mirë të ndërtimit të tre shkollave të reja në kryeqytet. “Me pallatet është bërë gara, janë kualifikuar 8 kompani. Tashmë do të çojmë kërkesën për ofertën financiare. Për prishjet, fillojmë njëherë me shkollat, me “Qazim Turdiun”, “Lasgush Poradecin”, shkolla në Pezë-Helmës. Kështu që kemi një kalendar vetëm prishje masive shkollash, duke qenë se kontratat janë marrë. Pra ai që ka marrë kontratën, bën edhe prishjen edhe transportimin e mbetjeve”, theksoi Veliaj.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.