Klasa mësimi në natyrë në Liqenin e Prespës/ Kite për testimin e cilësisë së ujit për shkollat e Pustecit

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Një sërë kompletesh testimi të cilësisë së ujit iu dhuruan dy shkollave në Bashkinë e Pustecit për të mbështetur mësuesit të organizojnë klasa mësimi në natyrë me nxënësit.
Kitet do të mundësojnë që nxënësit të masin vetë statusin kimik të ujit, duke i bërë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit të Liqenit të Prespës.
Gjatë një trajnimi të mësuesve për mënyrën e përdorimit të kompleteve, Ivan Terpo, shefi i departamentit të shkencave të shkollës Pustec tha se disa nga këto pajisje dhe materiale për edukimin shkencor në praktikë mungonin më parë, kështu që mësuesit e kimisë mund ta konsiderojnë veten të “kompletuar” për të zhvilluar praktikat mësimore.
Komplete të tjera iu dhuruan Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Korçës për të mbështetur gjithashtu përpjekjet e tyre në aktivitetet e edukimit mjedisor.
Ky aktivitet u mbështet nga Projekti Rajonal i financuar nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga GIZ “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës/ Skadar”, në mbështetje të edukimit mjedisor të fëmijëve në bashkinë e Pustecit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.