COVID-19/ Mjeku Alimehmeti: Shumë shtete po kalojnë një valë të dytë, por numri i vdekjeve ka rënë

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti është shprehur se shumë shtete në botë po përjetojnë një valë të dytë të COVID-19, por numri i vdekjeve prej virusit ka rënë.

Në një lidhje direkte për një nga mediet e vendit, Alimehmeti u shpreh ndër të tjera që numri i vdekjeve në pranverë ka qenë më i lartë sesa në muajin shtator dhe kjo sipas tij, është lehtësisht e dallueshme. Sipas tij, edhe pse numrat e rasteve të reja janë në rritje, kjo e fundit nuk është përkthyer në rritje të numrit të vdekjeve.

“Së pari, mos prisni që numrat e vegjël t’i nënshtrohen ligjeve të numrave të mëdhenj, numrat e vegjël si rrjedhim janë numra sporadikë. Presim më shumë trende, pra prirje javore ose dyjavore. Nëse ju e mbani mend, numri i fataliteteve fatkeqësisht në muajin gusht ishte goxha më i lartë shifra javore më të larta sesa ky muaj në shtator, kjo është e para. Elementi tjetër është që nuk mund të krahasojmë dot lehtësisht temperaturën, nuk e bëjmë dot kaq të thjeshtë llogarinë, për shkak se në verë ne kishim shoqëri pothuajse totalisht të hapur, ndërkohë që në pranverë kur temperaturat ishin edhe më të buta, ne e dimë farë mirë që masat shtrënguese ishin tejet të forta, kështu që është e vështirë të bëjmë këtë dallim. Patjetër që temperatura ka mbështetës më të mirë, pra temperaturat më të larta e ulin pak transmetueshmërinë, e ulin klinikën e virusit, sepse vetë imuniteti i njeriut është më i lartë. Por kyçe është që nuk e ndajmë dot këtë efekt sa ishte, masat kanë një efekt shumë më të madh se temperaturat, kjo s’ka asnjë dyshim’’.

Mjeku theksoi më tej se, “shumë shtete janë duke pasur një valë të dytë, por shtete të mëdha ku shifrat janë të rëndësishme dhe mund të dallohen lehtë si: Franca, Italia, Spanja, Anglia, SHBA e me radhë. Pavarësisht rasteve të reja, dhe është shumë mirë që në Shqipëri i referohemi rasteve të reja. Italia për shembull i përmend si të sëmurë. Rasti i ri është termi i saktë. Rastet e reja shtohen në fakt. Në Spanjë janë shumë më tepër sesa ata që kishin në mars, ndërkohë që fatalitetet janë pothuajse zero. Pra, luhaten diku tek 10-15 në ditë, që për shtete kaq të mëdha si ato, janë lehtësisht të absorbueshme. Nuk krahasohet vdekshmëria e marsit me këto vende me vdekshmërinë aktuale, edhe pse shifrat janë njësoj, ose më të larta tani’’. z.tosku//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.