Talenti shqiptar/ Albion Ademi, bomberi që premton gola dhe emocione për Kombëtaren

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Albion Ademi ka lindur në Finlandë dhe fillimisht është aktivizuar në ekipet e moshave të Finlandës, U-17 dhe U-19. Por ai vendosi “ta braktisë” kombëtaren e Finlandës menjëherë sapo i shkoi ftesa e FSHF-së, që i kërkonte të bëhej pjesë e Shpresave të Shqipërisë.

Ndërkohë, ai po shkëlqen me klubin e tij finlandez, IFK Mariehamn, ku ka shënuar deri tani 12 gola në 16 ndeshje në kampionatin vendas, duke u kthyer në një pikë referimi për ekipin.

Me këto të dhëna e ardhmja e tij duket e ndritur dhe Kombëtarja ka një bomber të garantuar. Paraqitjet e 21-vjeçarit kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe nuk do të jetë e largët dita kur ta shohim në një klub me emër europian.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Ademi tregon për emocionet me kombëtaren kuqezi, momentet e tij më të arrira deri tani si dhe sakrificën e madhe që ka bërë…. lënien e shkollës. Albion Ademi është pjesë e Shpresave, por në dy ndeshjet e fundit nuk mund të ishte pjesë e kuqezinjve. Gjithashtu ai është thirrur edhe nga Kombëtarja A.

“Që kur isha i vogël, kam pasur një dëshirë të madhe të luaja futboll dhe as vetë nuk e kam besuar se do të arrija të bëhesha një ditë pjesë e futbollit profesionist. Mendoja se gjithnjë do të mbetej një dëshirë. Unë them se gjithkush që ka një top në shtëpi kur është i vogël dhe luan me të, ka si ëndërr që të jetë pjesë e fushave të lojës. Por duhet talent dhe shumë punë”, tregon ai.

Ademi tregon se ka qenë gjyshi i tij  një nga personat e parë që ka besuar tek ai. “Më ka ndihmuar dhe më thoshte gjithmonë se futbolli nuk është një sport i lehtë, dhe nëse do e dua, nuk do lodhem asnjëherë. Dhe atëherë më dukej e çuditshme, por është e vërtetë. Sot, teksa stërvitem apo zhvilloj ndeshje, më shumë ndjej kënaqësi sesa lodhje”, thotë ai.

“Po kaloj një formë shumë të mirë aktualisht. Në fakt, kam punuar shumë në stërvitje dhe jam fokusuar maksimalisht në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje. Sigurisht, edhe jashtë fushës kam qenë shumë strikt me regjimin dhe përpiqem që të pushoj e të rekuperoj forcat për të qenë në formë sa më të mirë. Kemi një grup mjaft të mirë në klub dhe kemi harmoni mes njëri-tjetrit. Ndërsa, sa i përket Kombëtares mund të them se me trajnerin kemi një marrëdhënie fantastike. Arrin të na kuptojë dhe dëgjojë shumë mirë të gjithëve. Më vjen keq që nuk isha pjesë e ekipit të shpresave gjatë dy ndeshjeve kundër Austrisë dhe Andorrës, por jam i lumtur që ekipi mori 6 pikë të plota”, shprehet Ademi.

Momentin e ftesës së parë nga kombëtarja dhe debutimin me ngjyrat kuqezi ai e kujton si një emocion të veçantë dhe moment i bukur. “Të këndosh himnin e kombëtares krah çunave dhe përpara mijëra tifozëve është diçka që nuk do e largoj dot lehtë nga kujtesa ime. Është nder dhe krenari të luash për vendin e shqiponjave”, thotë ai.

Ai tregon se i rishikon ndeshjet kur luan edhe me grupin edhe vetëm dhe gjithmonë thotë ai, “mendoj se si të arrij të luaj më mirë dhe të gjej rrugën e rrjetës për të shënuar. Dua të shënoj shumë gola përgjatë karrierës time”.

Momentin më të lumtur në karrierë ai rendit thirrjen nga trajneri për t’u bërë pjesë e ekipit kombëtar “Ai ka qenë një nga momentet më të bukura siç thashë edhe më sipër, por edhe ndeshja finale për kupën e Finlandës ka qenë një nga momentet më të bukura për mua deri tani”, tregon Ademi.

Ndër sakrificat më të mëdha për futbollin ai përmend heqjen dorë nga shkolla dhe fokusimin tërësisht te futbolli.

Ai tregon se synimi për të ardhmen është që “sa më shpejt ta shikoj veten time në ndonjë nga ligat më të mira të Europës. Gjithashtu, pres të grumbullohem edhe nga kombëtarja A”.

“Familja ime, duke qenë edhe mbështetësit e mi më të mëdhenj më thonë gjithnjë se nuk duhet të dorëzohem, por të luaj gjithnjë me të njëjtën dëshirë dhe të kem të njëjtin vullnet si ditën e parë kur kam zbritur në fushë”, thotë ai.

Ndërsa sa i përket idhullit të tij në kombëtare, ai thotë se është Lorik Cana.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.