Rruga e re Qukës-Qafë-Plloçë/ Balluku: Vonesat për shkak të problematikave gjeologjike, tre lotet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2022

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se, “rruga e re Qukës-Qafë-Plloçë, është një vepër e rëndësishme në infrastrukturën rrugore dhe institucionet e linjës po punojnë për finalizimin e këtij projekti”.

Në interpelancën e kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare mbi përfundimin e punimeve të kësaj rruge, Balluku informoi se ky është një projekt i rëndësishëm rrugor që i ka fillesat në vitin 2010-2011, dhe më pas në 2013 me lidhjen e kontratës së këtij aksi.

“Projekti parashikon ndërtimin e një aksi të ri rrugor që lidh rajonin jugor dhe lindor të Shqipërisë, kryesisht qarkun Korçë, me zonën metropolitane të Elbasanit, Tiranës, Durrësit e më tej. Në planin ekonomik dhe strategjik rajonal kjo arterie rrugore krijon një mundësi të re komunikimi të Shqipërisë me vendet fqinjë ballkanikë si me Greqinë apo Maqedoninë e Veriut si dhe lidhjen e këtij korridori me Portin e Durrësit. Ky aks krijon një mundësi të mirë komunikimi e shkëmbimi të zonave rurale që aktualisht janë të veçuara”.

Balluku shpjegoi se, ndërtimi këtij aksi është i ndarë në tre lote. Loti i parë ndodhet sot në realizim fizik të punimeve në 86.52 % dhe pagesa të certifikuara që shteti ka paguar janë në masën 72.88 %. Në lotin e dytë realizimi i punimeve ndodhet në fazën 84.36% dhe pagesa të kryera janë në masën 81.58%.

“Punimet duhet të kishin përfunduar në 2018 në këto dy lote, por ka vonesa për shkak të problematikave gjeologjike. Projekti ka pasur disa devijime duke dizenjuar projekt të ri dhe ky ndryshim është shoqëruar me efekte financiare shtesë për secilin lot, si dhe me shtyrjen e afateve të përmbylljes së punimeve në prill 2021. Ndërsa afati për disbursimin e tre loteve është parashikuar 31 dhjetor 2022. Aktualisht kjo kërkesë e kompanisë po shqyrtohet nga ministritë e linjës”, – tha ministrja.

Sipas saj, “për realizimin e plotë të lotit të parë dhe të dytë kërkohet një fond shtesë prej 56.8 milionë USD për të cilat kanë filluar bisedimet me kreditorët dhe mbi bazën e propozimeve të detajuara Ministria e Ekonomisë dhe Financave është dakordësuar për këtë shtesë financiare. Kjo është një pjesë që do t’i bashkëngjitet fondit të ndërtimit, por është MFE që do të miratojë të gjitha hapat në të ardhmen”.

“Për sa i përket lotit të tretë ai përfshin 33 km. Realizimi fizik i tij ndodhet në masën 51% të punimeve. Data e fillimit të punimeve në këtë segment ka qenë e parashikuar më 21 janar 2016, por kjo nuk ka ndodhur si për shkak të vonesave në procedura por edhe të kushteve klimaterike dhe punimet janë shtyrë me 22 muaj, duke vënë si datë fillimi të punimeve datën 15 maj 2017. Vlera e këtij loti, sipas preventivit të vitit 2011 ka qenë 50 milionë USD. Financim i këtij projekti nga Fondi Saudit mbulonte vetëm 50% të vlerës e cila arrinte në 25 milionë USD. Ndërkohë që kërkohet financim për pjesën e mbetur prej 25 milionë USD sipas preventivit 2011”, – tha Balluku.

Ministrja theksoi se pas problemeve gjeologjike dhe rrëshqitjeve të dherave të paparashikuara gjatë projektit fillestar, kërkohet një kosto shtesë prej 24 milionë USD për ndërtimin e skarpateve.

“Për realizimin e lotit të tretë të këtij aksi rrugor duhet 25 milionë USD plus 24 milionë USD për skarpatet që nuk kanë pasur një studim gjeologjik”, – tha Balluku.

Ndër tjera gjatë fjalës së saj ministrja theksoi se, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) po punon dhe shumë shpejt do të shpallë projektin për aksin rrugor turistik Plloçë-Gocë-Voskopojë-Vithkuq.

Balluku informoi se “rruga turistike Plloçë-Gocë-Voskopojë-Vithkuq, nuk ndodhet në inventarin e rrugëve nacionale të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe si i tillë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka një projekt për këtë rrugë”.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Kuvendit, Balluku u shpreh se, “aksi rrugor Korçë -Maliq- Lozhanë- Stërleç, 18.9 km e gjatë, lidh disa fshatra të cilat janë pjesë e tre qarqeve kryesore të vendit Korçë, Berat dhe Elbasan, që janë të lidhura me rrugë nacionale”.

Në këtë kontekst, shpjegoi ministrja nuk presim që të ndërtojmë rrugë që të lidhim qarqet pasi qarqet janë të lidhura më së miri mes tyre. “Por segmenti 18.9 km i gjatë është nën kontratën e mirëmbatjes, madje për segmentin e dytë Libonik-Lozhanë, janë parashikuar të kryhen punime të rehabilitimit të thellë në vlerë 73 milionë lekë”, – tha Balluku.

Sipas saj, pavarësisht kontratave të mirëmbajtjes, nga ARRSH është përgatitur një projekt i ri i zbatimit të rehabilitimit të plotë dhe të thellë të këtij segmenti me qëllim sjelljen e tij në parametrat e standardeve të larta teknike të qarkullimit. “Financimi i këtij projekti është për t’u planifikuar në buxhetimin e së ardhmes”, – tha Balluku. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.