Rindërtimi projekt unik/ Qeveria ia dhuron banesën qytetarit

TIRANË 24 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se rindërtimi është projekt unik, sepse qeveria e ka përballuar si asnjë tjetër, nëse në Itali shteti jep kredi të buta për rindërtimin pas tërmeteve, qeveria jonë nuk jep kredi, ia dhuron paratë e rindërtimit.

Gjatë një interviste në medie, Ahmetaj tha se janë 9.4 miliardë lekë që po jepen nga qeveria, direkt te qytetarët për meremetimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti në 11 bashki të vendit.

Sipas tij, u gjet kjo formë e shpërndarjes së parave në dorë të qytetarëve, si më e përshtatshme për të ndihmuar banorët të meremetonin banesat e tyre sa më shpejt, pasi nëse do të merrej përsipër nga shtetit procesi do të ecte më ngadalë.

“Kemi dhënë para në dorë për riparimet e vogla sepse ishin 27 mijë familje, dhe shteti ja lë në dorë qytetarit nëse e rindërton apo jo, në bazë të dëmtimit. Nuk jemi shtet autoritar që të detyrojmë qytetarët të riparojnë dëmet e shtëpisë. Bashkia e ka për detyrë të shkojë e të kontrollojë punimet”, shpjegoi ministri.

Sipas tij, në gjithë këtë proces, janë qytetarë që janë në padurim.

“Është gjëja më normale, që të duan të ecin më shpejt, pavarësisht sa kemi ecur ne”, tha ai./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.