Rindërtimi i pallateve nis më 10 tetor/ Qytetarët do të mund të strehohen në apartamente brenda majit

TIRANË 24 shtator/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se rindërtimi i pallateve për të strehuar qytetarët, të cilëve iu është dëmtuar banesa e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit që lamë pas, nis me 10 tetor.

“Më 10 tetor, hidhen themelet e pallateve te ‘5 Maji’, dhe pas 15 tetorit fillojnë themelet në Kombinat në Tiranë. Nga nesër fillon prishja te ‘5 Maji’ dhe më pas në Kombinat”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, qytetarët do të mund të strehohen në apartamentet e tyre deri në maj të vitit tjetër.

“Qytetarët që do të marrin apartamente do të kenë një letër me vlerë me firmë nga kryeministri, ku do të kenë të përcaktuar edhe hyrjen. Këto letra do të kenë vlerë monetare. Do iu jepen qytetarëve për hyrjet, dhe do jetë garanci dhe për legalizimet më vonë”, tha Ahmetaj.

Ai bëri të ditur po ashtu se nuk do të ketë shpërngulje në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Ministri Ahmetaj foli edhe prekjen e ekonomisë nga pandemia e COVID-19. Ministri bëri të ditur se sektori i ndërtimit ka shfaqur një ecuri pozitive, për shkak edhe të Programit të Rindërtimit.

“Po ti referohemi numrit të të punësuarve nga 48 629 të punësuar në janar sot kemi 51 117 të punësuar në sektorin e ndërtimit”, tha ai.

Sipas Ahmetaj, tregtia ka filluar të marrë veten, ndërsa transporti ende jo. “Në këtë sektor ka 1 mijë vende pune të parimarra”, shtoi ministri.

/a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.