Pukë/ Ndriçim përmes energjisë eficiente, Gjonaj: Projekte me impakt pozitiv tek qytetarët

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Banorët e rrugës Zezaj në Pukë kanë tashmë ndriçim, falë një projekti të bashkisë për funksionimin e ndriçimit përmes energjisë eficiente.

Kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, inspektoi sot përfundimin e punimeve duke theksuar se “investimi i kryer përmes buxhetit të bashkisë nëse rezulton i suksesshëm do të aplikohet dhe në zona të tjera të bashkisë”.

Sipas tij, ky investim ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të kësaj lagjeje.

Kryebashkiaku Gjonaj u shpreh se “këtij investimi i bashkëngjitet një investim shumë i madh i bërë nga qeveria shqiptare, ai i ujësjellësit që do të sjellë përmirësimin e e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve”.

“Me investimet e kryera Puka do të jetë një qytet malor i zhvillimit e turizmit, jo vetëm për një turizëm stinor, por gjithëvjetor”, – tha Gjonaj.

Kryetari Gjonaj u shpreh se “kemi 30 projekte zhvillimore në bashkinë e Pukës, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këto janë disa punë të mira e të prekshme, së shpejti do njihemi edhe me një investim të rëndësishëm për rininë dhe sjelljen e turistëve”.

Gjonaj premtoi se bashkia do të realizojë ato projekte që sjellin impakt pozitiv tek qytetarët.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.