“Parlamenti i Nxënësve”/ Kushi: Zëri i tyre thelbësor për adresimin e nevojave të arsimit

TIRANË 24 shtator/ATSH/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi deklaroi sot se zëri i “Parlamentit të Nxënësve” do të jetë thelbësor për të adresuar sfidat e përbashkëta në lidhje me përvojën shkollore.

“Për mua personalisht, s’ka kënaqësi më të madhe se takimin e parë të punës ta filloja me përfaqësues të “Parlamentit të Nxënësve”, të cilëve iu garantova se do të kemi po të njëjtin bashkëpunim të ngushtë për të adresuar sfidat tona të përbashkëta në lidhje me përvojën shkollore”, iu drejtua Kushi të rinjve.

Deklarata e Kushit u bë gjatë një takimi me përfaqësues të “Parlamentit të Nxënësve”, ku mori zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga ish ministrja Besa Shahini.

Ajo informoi se gjatë bisedimeve me Besën ishte njohur me punët e mira të realizuara që nga themelimi i këtij parlamenti.

Ajo i siguroi të rinjtë se do ta ketë gjithmonë derën e hapur për t’i dëgjuar e konsultuar në çdo rast për procese të rëndësishme që kanë në fokus rritjen e cilësisë së arsimit.

Ish-ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi se zëri i të rinjve në “Parlamentin e Nxënësve” është spiranca që i duhet mendimit politik në fushën e arsimit.

“Parlamenti i Nxënësve” ka qenë këshilltari im më i mirë për politikat e arsimit parauniversitar, sidomos gjatë organizimit të mësimit në kushte shtëpie në periudhën e pandemisë, e cila vazhdon të jetë akoma mes nesh. Janë nxënësit dhe studentët ata për të cilët bëhen politikat arsimore, ndaj zëri i tyre është edhe spiranca që i duhet mendimit politik në fushën e arsimit”, deklaroi Shahini. /a.gjonaj//a.a//r.e/

 

 

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.