Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ “Ligjet” vendosin 30 shtatorin afat të përfundimit të draftit

TIRANË, 24 shtator /ATSH – I. Vata/ Në zbatim të vendimit të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u zhvillua mbledhja e grupit të punës për hartimin dhe propozimin e amendamenteve që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Tre anëtarët e këtij grupi pune, deputetët Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Korab Lita u njohën me propozimet e mbërritura në Kuvend, konkretisht ai i Partisë Socialiste dhe disa amendamente të artikuluara nga Grupi Demokrat.

Përfaqësuesi i opozitës parlamentare Korab Lita shprehu disa rezerva mbi propozimet e paraqitura dhe kërkoi më shumë kohë në dispozicion për të depozituar në këtë grup pune propozimet e tij në emër të opozitës parlamentare.

Grupi u dakordësua që të vazhdojë punën dhe të rimblidhet gjatë pasdites së sotme për t’u njohur me propozimet e Litës, në kërkim të arritjes së konsensusit sa më të gjerë për amendamentet e Kodit Zgjedhor.

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike i ka lënë afat këtij grupi pune datën 30 shtator për të përmbyllur draftin.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.