Meta rishpall procedurat për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Presidenti Ilir Meta rishpalli sot për të tretën herë procedurat e aplikimit për plotësimin e vendit vakant, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “vakancë e parakohshme”.

Presidenti vlerëson se në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant nuk ka kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë.

Me përfundimin përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, Presidenti i Republikës shpalli në 7 shkurt 2018 procedurën për plotësimin e kësaj vakance.

Nga 15 kandidatë që shprehën interesin për konkurrim, në përfundim të procedurave të verifikimit të plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrtoi dhe lejoi kandidimin vetëm për 2 kandidatë, konkretisht Besnik Muçin dhe Regleta Panajotin.

Presidenti i Republikës, pasi vlerësoi informacionin dhe njoftimin e përcjellë nga KED  dekretoi në 27 shtator 2019 “Rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme”.

Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant, rezultoi se shprehën interesin për kandidim edhe 6 aplikantë të tjerë, përveç 2 kandidatëve që vijonin të ishin në garë në atë moment për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” në Gjykatën Kushtetuese.

Lista e kandidatëve iu dërgua menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por në përfundim të procedurës së vlerësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve për këtë vend vakant nuk është lejuar kandidimi për asnjë nga 8 kandidatët, që shprehën interes dhe paraqitën kandidaturën.

Ndërsa për kandidatin e fundit të ngelur në garë të verifikuar nga KED, Shaqir Hasanaj, vendimi i KED-së për ndalimin nga kandidimi është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit Administrativ dhe nuk ka ende një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Bazuar në këto kushte, ku në garën për kandidim për plotësimin e kësaj vakance nuk ka kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë, çka në çdo rast bën që të mos plotësohet numri i domosdoshëm prej 3 kandidatësh, i parashikuar nga Kushtetuta, Presidenti rishpalli procedurën e aplikimit për plotësimin e vendit vakant.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar informacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe ecurinë e procesit për plotësimin e këtij vendi vakant, dhe ripërtëritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, fton dhe inkurajon çdo person të interesuar që plotëson kushtet të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi të hapur publik për plotësimin e vendit vakant.

Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 14 tetor 2020./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.