Lufta e UÇK-së atdhetare/ Thaçi: Askush nuk do të mund ta rishkruajë historinë

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ – “Askush nuk do të mund ta rishkruajë historinë. Serbia ka kryer spastrim etnik në Kosovë”, deklaroi sot në një intervistë televizive, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Për akuzat e prokurorëve të Hagës, Thaçi tha se, “unë akuzave ndaj UÇK-së nuk i besoj. Ka qenë një luftë atdhetare”.

I pyetur nëse konfirmohen akuzat nga gjykata a do të japë dorëheqjen nga President, Thaçi tha se “Po”.

Për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA, Thaçi tha se, “roli i SHBA është i pazëvendësueshëm në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA bën të mundur atë që nuk u arrit për një kohë të gjatë. Kjo marrëveshje është win-win. Ne gjithmonë si Kosovë kemi kërkuar që roli i SHBA të jetë i pazëvendësueshëm”.

Thaçi tha se dyshonte në vërtetësinë e kësaj dosjeje dhe në origjinalitetin e dokumenteve të publikuara.

“Nga një anë nuk dihet vërtetësia dhe origjinaliteti i këtyre dokumenteve. Nga ana tjetër duhet kohe dhe që autoritetet kompetente ta thonë fjalën e tyre dhe jo mediumet apo njerëzit jo kompetentë. Derisa të vërtetohet nëse janë origjinale dhe rrjedhje të gjykatës duhet të jemi shumë të kujdesshëm në mënyrë që të mos biem në grackë të ndonjë lajthitjeje për të dëmtuar imazhin e Kosovës. Unë kam qenë 4 ditë në intervistim në Hagë, asnjë nga këto gjëra nuk u ballafaqua në pyetjet që m’u bënë”, u shpreh Thaçi.

 

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.