“Listat janë të hapura”/ Balla: Nuk ka sistem që t’u japë pushtetin e shumicës dy partive që kanë vetëm 30% të popullit

TIRANË, 24 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Meta dhe Basha duhet të kuptojnë se koha kur në Shqipëri shpiket sistem që sjell minorancat në pushtet dhe maxhorancat në opozitë nuk ndodh, pasi nuk ka sistem sot në botë ku parti, që të dyja bashkë bëjnë 30% të popullit shqiptar mund të marrin pushtetin e shumicës në këtë vend”, deklaroi sot në Kuvend kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Balla theksoi se “nuk është aspak e vërtetë e gjithë tymnaja që mundohen të ngrenë se listat nuk janë hapura”.

“Unë nuk di në cilin fjalor të shkencave politike mund të përcaktoni që listat sipas propozimit tonë janë të mbyllura, se ato janë hapura në Kushtetutë në radhë të parë. Për sa kohë që në qarkun e Tiranës, ku do të garojnë për secilën prej listave me 36 kandidatë nga i pari tek i fundit lirshëm dhe mund të votohen nga mbështetësit e tyre, listat janë të hapura”, tha Balla.

Për sa i përket asaj që quhet ndërthurje e mbështetjes politike për subjektin elektoral dhe mbështetjes individuale për secilin prej kandidatëve, Balla solli në vëmendje gjithë eksperiencën më të mirë botërore.

“Në asnjërën prej tyre nuk do të gjeni raste kuptimplota si ajo që mendoni ju. Në këtë kontekst edhe pse nuk dua të hyj kurrë në shifra, duhet kuptoni se të jesh deputet i Kuvendit të Shqipërisë duhet të kesh legjitimitet. Legjitimiteti buron nga mbështetja. Në rast se partitë e vogla duan ta kthejnë këtë si mundësi të lojërave të tipit: bëhen bashkë 36 veta, secili prej tyre mbledh 300 vota, shumatorja e tyre bën 10800 vota dhe mjafton njëri që ka marrë 301 vota të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë kjo nuk ka kuptim, kjo nuk ndodh kurrë dhe kjo nuk quhet demokraci”, tha Balla.

Ai shtoi se “kjo nuk quhet pushtet i popullit dhe çdo lloj shndërrimi i pushtetit të popullit në pushtetin e minorancës nuk shkon.

“Balla tha se “ne kemi sjellë modelet më të mira të Europës, si modeli austriak, kroat apo danez”. “Ne kemi propozuar pragun 3 %. Ata që janë jashtë duhet të kuptojnë që ligjet votohen në Kuvend dhe kanë detyrimin t’i sjellin propozimet deri ditën e hënë në mëngjes”, tha Balla. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.