Ligji për shtetësisë/ Felaj: Në harmoni të plotë me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut

TIRANË, 24 shtator /ATSH – I. Vata/ Deputetja e PS-së Ermonela Felaj duke folur në Kuvend për dekretin e Presidentit për shtetësinë tha se Presidenti Meta ktheu një ligj që vjen në harmoni të plotë me të Konventën Europiane.

Në fjalën e saj, Felaj tha se ligji për shtetësinë është një nocion i fuqishëm dhe lidhet me gëzimin e lirive dhe të drejtave sa politike dhe civile. Vlen për t’u përshëndetur, fakti se qeveria shqiptare arriti më në fund të sjellë një propozim të tillë një ligj të ri për shtetësinë, një propozim që në fakt gjatë verës gjeti miratimin e Kuvendit të Shqipërisë”, tha ajo.

“Në verë, po ashtu, Presidenti e ktheu për shqyrtim ligjin në fjalë. Padyshim që të kthesh një ligj për rishqyrtim është një e drejtë kushtetuese e Presidentit, por rastin në fjalë, personalisht e gjeta të çuditshëm faktin pse Presidenti e ktheu ligjin për shtetësinë, një ligj që u jep zgjidhje problematikave që kanë hasur shtetasit shqiptarë, një ligj që vjen në harmoni të plotë me Konventën Europiane për liritë dhe të Drejtat e Njeriut, në harmoni të plotë me Konventën Europiane për Shtetësinë, në harmoni të  plotë me qëndrimin e të gjitha shteteve evropiane për të reduktuar pashtetësinë dhe për të reduktuar probleme të rënda të lidhura me to.

Ajo tha se ne kemi patur një ligj të vjetër për shtetësinë, një ligj mbase të bërë para Kushtetutës.

“Ligji i ri për shtetësinë jep mundësinë që të reduktohen pashtetësitë. Është e rëndësishme që në territorin tonë të mos kemi një numër të lartë të shtetasve që nuk gëzojnë asnjë lloj shtetësie”, tha Felaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.