Kushi pas betimit: Përgjegjësi e jashtëzakonshme, do të punoj çdo ditë për ta kryer me integritet

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Menjëherë pas seancës së Kuvendit dhe përfundimit të ceremonisë së betimit në Institucionin e Presidentit të Republikës, anëtarja më e re e kabinetit qeveritar, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka thënë se emërimi i sotëm është një përgjegjësi e jashtëzakonshme.

“Detyra e Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, për të cilën do të punoj çdo ditë për ta kryer me integritetin dhe përkushtimin tim më të lartë”, u shpreh Kushi.

“Prejardhja nga Elbasani, i mirënjohur edhe si kryeqendër e arsimimit të shqiptarëve me “Normalen” e tij të famshme, ma shton edhe më shumë vullnetin që me përvojën time shumëvjeçare në arsim, të çoj akoma më përpara reformat e ndërmarra deri tani, si dhe të jem kurdoherë dëgjuesi dhe zëri i çdo nxënësi, mësuesi, studenti dhe akademiku”, është shprehur Kushi.  z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.