Integrimi europian/ Spiropali: Ngritëm institucionet e reja të Drejtësisë mbi institucionet e kalbura

TIRANË, 24 shtator /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali duke folur në Kuvend për projektrezolutën mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në tha se ne do çojmë para Reformën në Drejtësi me ngritjen e institucioneve të reja, SPAK, BKH, Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese.

Spiropali e cilësoi historik faktin që me 26 mars të 2020 Këshilli Europian ka votuar pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Është po ashtu për t’u theksuar se roli i Kuvendit ka qenë determinant  edhe luftërat, betejat u bënë këtu për të kaluar disa nga reformat më të rëndësishme të vlerësuara nga Këshilli Europian e nga Komisioni Europian, mbi Reformën në drejtësi. Ne kemi ngritur institucionet e reja të drejtësisë mbi institucionet e kalbura. Do ishte po ashtu në nderin e këtij Kuvendi të përmendnim mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë partnerët tanë në këtë proces në të gjitha etapat”, tha ajo.

Duke folur për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Spiropali tha se nuk është kjo dita e parë e diskutimit, dhe nuk është ky diskutimi i parë.

“Ne kemi vite që tentojmë të ulim në tryezë një opozitë e cila ka dalë jashtë të gjithë binarëve institucionalë, jo për fajin tonë por për problemet e saj thelbësore të brendshme. Shumë nga deputetë këtu janë produkt i çartallosjes së opozitës dhe kanë hyrë në këtë  Kuvend me shumë dinjitet, kanë marrë rolin që u takon këtu për të bërë pikërisht këto detyra së bashku. Por, ne si mazhorancë kemi pasur detyrën e vështirë të bëjmë bashkë të gjitha palët. Në një anë  duhej me patjetër të ulnim opozitën parlamentare dhe ish-parlamentare në tryezë dhe në anën tjetër të bënim një reformë e cila kaloi me votat e Kuvendit të Shqipërisë të cilit ia njohim legjitimitetin deri në fund”, tha ajo.

Në vijim, Spiropali tha se Këshilli Politik shpeshherë është kthyer në një shaka publike, sepse në vend që të prodhojë zgjidhje, prodhon ngërçe, prodhon pengesa, pra bën të kundërtën e detyrës së tij dhe është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë që të flasë për sistemin. “Nuk ka sisteme në botë që e bëjnë minorancën mazhorancë. Nuk ka sisteme që të kthejnë nga humbës në fitues dhe nuk ka sisteme që ndërrojnë demokracinë sa hap e mbyll sytë. Këto janë ëndrra që ka të drejtën secili t’i thurë por këtu jemi që t’i japim zgjidhje”, u shpreh Spiropali.

Po ashtu, Spiropali tha se propozimet e PS-së për ndryshimet  në Kodin Zgjedhor, janë serioze.

“Marrin parasysh edhe nevojën e një vote preferenciale dhe hapjen e listave, pra deputetët do votohen por në anën tjetër sigurojmë edhe stabilitetin e qeverisjes e cila i përgjigjet nevojave të kohës dhe objektivit  tonë madhor të integrimit europian”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.