Grupi i ekpertëve të ekonomisë dhe financave publike në PD takim online me drejtuesit e Misionit të FMN

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Grupi i ekspertëve të ekonomisë dhe financave publike në Partinë Demokratike zhvilluan një takim online me Misionin e FMN-së, Yan Sun, Shefe e misionit të FMN-së për Shqipërinë dhe Stephanie Eble, Përfaqësuese e Përhershme, Rezidente në Vjenë.

Takimi u fokusua në shqetësimet kryesore të FMN-së në lidhje me ekonominë e vendit, situatën ekonomike të krijuar gjatë pandemisë, si dhe sa kanë afektuar këtë situatë problemet strukturore të ekonomisë shqiptare, njoftoi zyra për shtyp e PD.

Ekspertët e Partisë Demokratike vunë në dukje një sërë problematikash, sidomos mbi zhvillimet e muajve të fundit, gjatë së cilës dhjetëra-mijëra biznese kanë falimentuar, 137 mijë të papunë i janë shtuar ushtrisë së të papunëve, 61% e bizneseve reflektojnë rënie të të ardhurave në vend, ndërkohë që plaga ekonomike vazhdon dhe thellohet dita-ditës.

Shqetësimi i kahershëm i PD, që është reflektuar dhe në raportet e KLSH-së, ka qenë edhe zëri i “Detyrimeve të Prapembetura”, të cilat vlerësohen në vlerën 70 miliardë lekë, duke treguar qartazi mungesën e eficiencës në menaxhimin e financave publike në vend.

Sakaq, u shprehen shqetësimet në lidhje me koncesionet dhe PPP-të që janë po aq të kritikuara nga FMN dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, të cilat prekin vlerën e rreth 13% të PBB-së, duke vendosur në rrezik buxhetin e shtetit me kontrata për të cilat nuk ka patur analiza të sakta kosto-përfitim dhe janë shembujt më domethënës të praktikave abuzive dhe korruptive nga qeveria shqiptare.

Një tjetër shqetësim i PD ka qenë dhe mbetet Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila është  kritikuar specifikisht edhe nga FMN.

Gjithashtu gjatë takimit, grupi i ekspertëve prezantoi piketat kryesore të Planit Ekonomik të PD, një plan që ka në bazë të saj mbështetjen e ekonomisë dhe sektorëve të saj, nxitjen e konsumit, punësimit dhe zhvillimit, por dhe uljen e informalitetit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.