Vlorë/ Pastrohen mbeturinat në lagjen “24 Maj”, bllokonin grykëderdhjen e kanalit të “Naunkës”

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Në qytetin e Vlorës ka nisur puna për pastrimin e mbeturinave në lagjen “24 Maj”, të cilat prej vitesh qëndronin të depozituara në këtë zonë dhe bllokonin grykëderdhjen e kanalit të “Naunkës”.
Ujësjellës Kanalizime Vlorë bën të ditur se aksioni po kryhet nga bashkia e Vlorës, me mbështetjen edhe të bizneseve të qytetit.
Nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Afrim Qëndro dhe drejtori i Infrastrukturës, Jurgen Çollaku, ndoqën sot nga afër aksionin e pastrimit, ndërsa i bënë thirrje qytetarëve të mos hedhin më mbeturina.
Me mbërritjen e shirave pastrimi i mbeturinave është domosdoshmëri, në mënyrë që të mos bllokohet kanali i “Naunkës”.
Vitin e kaluar bashkia e Vlorës zhvilloi një aksion për pastrimin e kanalit të “Naunkës”, një nga më kryesorët në qytet, si dhe realizoi ndërtimin e katër urave të cilat ishin dëmtuar.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.