“Veprimtaria prodhuese” miraton dy projektligje, siguria në ndërtim dhe pr/ligjin për territorin

TIRANË, 23 shtator/ATSH-A. Fortuzi/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.

Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli, si dhe përfaqësues nga AMF. Lidhur me çështjet që u lanë të hapura për diskutim nga mbledhja e mëparshme për të dy projektligjet, në fjalën e tij Shkreli u shpreh se janë ezauruar vërejtjet dhe sugjerimet që u lanë nga anëtarët e komisionit dhe relatores, duke bërë një prezantim të detajuar të këtyre neneve.

Mbledhja vazhdoi me diskutime, komente dhe sugjerime të ndryshme mbi projektligjet. Në fund të mbledhjes, projektligjet u miratuan nen për nen dhe në tërësi nga shumica e anëtarëve të komisionit. Mbledhja u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, “Cisco Webex”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.