Skemat e nxitjes së punësimit/ Financim i pagës minimale dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen shpjegoi sot se si mund të përfitojnë individët e prekur në punën e tyre për shkak të situatës së pandemisë nga skemat e nxitjes së punësimit që po zbaton qeveria.

Gjatë një aktiviteti, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Sorensen tha se programi i qeverisë synon të mbështesë të gjithë ata punëkërkues që dolën të papunë gjatë periudhës 10 mars deri më 23 qershor kur i gjithë aktiviteti ekonomik u kthye në normalitetin e tij.

“Programi ka në vetvete tre skema punësimi 4-mujore, 8-mujore dhe 12-mujore. Skema e parë dhe e dytë targetojnë ata persona që rezultojnë të regjistruar pranë Administratës Tatimore dhe financon pagat minimale për gjysmën e kohës së punësimit dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që janë detyrim i punëdhënësit për të gjithë periudhën”, u shpreh zëvendësministrja.

Skema e tretë e punësimit është 12-mujore, tha zv.ministrja, dhe ka në fokus personat që nuk kanë qenë të regjistruar pranë administratës tatimore, por që deklarojnë se kanë qenë të punësuar.

“Në këtë rast nëse punëdhënësi i kthen në punë, skema mbështetëse e qeverisë parashikon financimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin”, tha Sorensen./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.