Protesta e mjekëve/ Manastirliu: Jemi në një llogore për një qëllim të përbashkët, në 2021 rritje historike të pagave

TIRANË, 23 shtator/ATSH/Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë një interviste televizive mbrëmjen e sotme lidhur me protestën e mjekëve tha se mbështetja e qeverisë ndaj personelit shëndetësor nuk ka munguar.

“Mjekët i vlerësoj për punën që bëjnë çdo ditë, për sakrificën dhe profesionalizmin që tregojnë. Dera ime është e hapur për dialog dhe për të diskutuar çdo çështje sepse jemi në një llogore, punojmë për një qëllim”, tha Manastirliu.

Manastirliu tha se mbështetja e qeverisë për personelin shëndetësor nuk ka munguar, dhe se në vitin 2021 do te kemi një rritje historike të pagave.

“Deklarata e kryeministrit për rritjen e pagave tregon vlerësimin për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin shëndetësor. Në vitin 2021 do të kemi rritje historike të pagave me 40%. Në 7 vjet qeverisje rritëm me 26% pagat e mjekëve dhe me 27% pagat infermierëve”, tha Manastirliu. z.tosku//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.