Programi për nxitjen e punësimit përmes praktikës profesionale/ Qeveria financon 6 paga për të rinjtë

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Programi për nxitjen e punësimit përmes praktikës profesionale targeton të gjithë të diplomuarit brenda 24 muajve të e fundit dhe praktika duhet të kryhet në sektorin privat.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen deklaroi sot se ne kemi goxha eksperiencë të konsoliduar për praktikë në sektorin publik, por në këtë rast bëhet fjalë për praktikë të mirëfilltë në sektorin privat.

Në këtë rast, shpjegoi zëvendësministrja, përfitimi është 6 paga në vlerën e 50% të pagës minimale që i jepet personit që është i përfshirë në program dhe programi zgjat deri në 6 muaj.

Po ashtu, Sorensen tha se programet e nxitjes së punësimit parashikojnë edhe mbështetje ekstra financiare për shtresat më vulnerabël, siç është bonusi për shpenzimet e transportit për gratë kryefamiljare deri në 1600 lekë kur vendi i punës është mbi 2 km larg nga ai i banimit.

Tjetër mbështetje është edhe subvencioni deri në 3 mijë lekë në muaj për ndjekjen e kopshtit apo çerdhes për fëmijën në ngarkim, si dhe subvencion deri në 200 mijë lekë për punëdhënësit për përshtatjen e vendit të punës për personat me aftësi të kufizuara.

Deklarata e zv.ministres u bë gjatë një aktiviteti për prezantimin e programeve të punësimit ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.