Pogradec/ Zerohet taksa për hapësirën publike për 4 muajt në vazhdim, përfitojnë 500 biznese

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Bashkia e Pogradecit lehtëson biznesin nga taksat vendore.

Me vendim të Këshillit Bashkiak, bashkia Pogradec përjashtoi bizneset e bareve dhe restoranteve nga tarifat për hapësirat publike.

Kryetari i bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli u shpreh për ATSH-në se, “të gjitha baret dhe restorantet që operojnë me tavolina në hapësira publike ose jashtë nuk do të paguajnë taksa për periudhën shtator-tetor-nëntor-dhjetor 2020”.

Janë 500 biznese përfituese nga ky vendim që operojnë në sektorin e bareve dhe restoranteve me tavolina jashtë.

Më herët, bashkia zeroi nga marsi deri në 15 qershor tarifën e hapësirës publike për të gjitha bizneset për shkak të pandemisë.
Gjithashtu tarifat vendore për muajt prill, maj, u zeruan për të gjithë bizneset që u mbyllën me VKM.
Gjithashtu, u shpreh Xhakolli, në mbështetje të biznesit Këshilli Bashkiak i Pogradecit “zeroi tarifat vendore për transportin e udhëtarëve për 4 muaj, në periudhat mars, prill, maj, qershor 2020”.
e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.