Përafrim i legjislacionit me BE-në edhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorit

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së është fokusuar edhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.
Kapitulli 28 rregullon mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë e mallrave të konsumit, si dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve në disa sektorë specifikë.
Si një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të transpozojë në legjislacionin kombëtar legjislacionin e BE-së që është pjesë e këtij kapitulli dhe të krijojnë struktura të pavarura administrative dhe kapacitete zbatuese të cilat sigurojnë mbikëqyrjen efektive të tregut dhe zbatimin e ligjit.
Pjesë e këtij kapitulli është edhe Direktiva për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve.
Grupi i punës me ekspertë të fushës diskutoi sot mbi këtë çështje ku, në thelb kjo direktivë adreson nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kontraktuale midis konsumatorëve dhe bizneseve jashtë gjykatave.
Projekti SANECA po mbështet Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të hartuar aktet ligjore të nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e këtyre mekanizmave. Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve synon që konsumatorët të përfitojnë akses të thjeshtë, efikas, të shpejtë dhe me kosto të ulët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që lindin nga kontratat e shitjes ose të shërbimit. Qëllimi është të krijohen garanci për konsumatorët që të drejtat e tyre të respektohen.
SANECA është një projekt i financuar nga qeveria gjermane që zbatohet nga GIZ Albania. Qëllimi i asistencës që ofrohet për administratën publike shqiptare është përmirësimi i parakushteve për zhvillimin e negociatave me BE-në për kapitujt 1, 3, 20 dhe 28.
e.xh//j.p//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.