Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 40% në 2021-n

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Pagat e mjekëve dhe infermierëve në të gjithë vendi do të rriten me 40% duke filluar nga viti 2021.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi se duke nisur nga viti 2021 qeveria planifikon të rrisë me 40% pagat për mjekët dhe infermierët.

Gjatë një interviste televizive, Denaj bëri të ditur se fondi në dispozicion për këtë rritje do të jetë 6 miliardë lekë.

Denaj theksoi se mjekët dhe infermierët kanë qenë në fokus të qeverisë përgjatë këtyre 7 viteve që partia Socialiste ka qenë në qeverisje.

Sipas saj, në këtë hark kohor pagat për mjekët janë rritur me 21% dhe ato për infermierët 26%.

Ministrja Denaj më tej shpjegoi edhe pretendimet e ngritura në medie për mos dhënien e bonusit prej 1 mijë euro për mjekët që janë në vijën e parë të luftës kundër infeksionit COVID-19.

Ajo siguroi se ky bonus është shpërndarë për të gjithë mjekët e infermierët.

“Dhënia e bonusit për mjekët e infermierët që janë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 është vendim qeverie dhe si i tillë është i detyrueshëm për tu zbatuar. Mund të ketë raste që nuk kanë arritur ta marrin ende këtë bonus për çështje teknike, por ju siguroj që janë likuiditetet e nevojshëm për ta shpërndarë tek secili mjek dhe infermier që e meriton”, tha Denaj./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.